Solaf dhe familja e saj u arratisën nga lufta në Siri
Ajo i adhuron sportet dhe ëndërron të jetojë në Amerikë
Solaf, nëntë vjeçare: “Unë quhem Solaf dhe jam nga Bosra e Sirisë. Më kujtohet shtëpia ime atje. Ishte e madhe me një derë ngjyrë kafe. Kishte një kopësht jashtë me pemë ulliri, limoni, portokalli dhe molle. Ne mbillnim borzilok, trumzë, kamomil, majdanoz, patëllxhan dhe patate.
Një ditë, një raketë goditi kulmin e shtëpisë tonë dhe ne u detyruam të shkonim të flinim në xhami, e pastaj edhe xhamia u bombardua dhe pas kësaj ne erdhëm në Jordani. “Nuk më pëlqen këtu në kamp. Nuk ka rrymë. Gjatë natës ne përdorim llamba solare, por ato zgjasin vetëm 30 minuta. Po të kishim rrymë do të doja të shikonim televizor… jo, do të doja një laptop! Dua të shikoj TV në laptop.
Kur nuk jam në shkollë luaj me shoqe dhe merrem me sport. Po mësoj taekwondo kështu që do të mund ta mbroj veten kur vëllai im nuk është pranë. Gati mund të bëj shpagën, edhe pak më ka mbetur. “Dua të shkoj në Amerikë. Një kushëri kishte shkuar njëherë dhe më ka treguar se atje ka një jetë normale – supermarkete të mëdha dhe shkolla të mira. Do t’i kryeja provimet dhe do të merrja nota të mira. Unë, dua të bëhem mjeke dhe të trajtoj diabetin. Pse? Sepse nëna ima ka diabet. Dua të ndihmoj familjen time sepse ata janë e gjitha që kam.”
Nëntë vjeçja Solaf është refugjate siriane që jeton me prindërit e saj dhe vëllain e madh në kampin e refugjatëve Azraq në Jordani. Me origjinë nga qyteza Bosra e Sirisë jugore, ajo dhe familja e saj u larguan për në Jordani në vitin 2013 pasiqë shtëpia e tyre ishte shkatërruar pjesërisht në një sulm me raketa. Solaf ka kujtime të gjalla të konfliktit në Siri. “Më kujtohet kur një raketë goditi varrezat në qytezën tonë, trupi i njërit që quhej Mousa doli nga toka.”
Përkundër tërë asaj që ka përjetuar, Solaf është fëmijë e gëzuar dhe e gjallë, e cila adhuron të luaj sporte me shoqet e saj në kamp, dhe të luajë lojën e bashkimit të copëzave të figurave në strehimoren e familjes. Ajo ka dëshirë t’i ndihmojë nënës për të gatuar, dhe bën zhurmë duke e thënë recetën e pjatës së saj të preferuar shishbarak – mish qengji të mbështjellë në brumë, të gatuar në sos jogurti.
Tregoni solidaritetin tuaj me refugjatët sikur Solaf, duke nënshkruar sot peticionin #WithRefugees
A ju pëlqeu rrëfimi i Solaf? Ndajeni me miqtë tuaj!
Konflikti në Siri ka vazhduar për më tepër se pesë vite dhe ka shkaktuar krizën më të madhe botërore të refugjatëve, me më shumë se 4.8 milion sirianë që janë larguar për në Jordani dhe vendet tjera fqinje në rajon.